Tenderi që “i hëngri kokën” kreut të Komisionit të Prokurimeve Publike, kush janë 10 të tjerët të pandehur bashkë me Jonaid Myzyrin

30 Qershor 2025, 15:39 / AKTUALITET ALFA PRESS

Tenderi që “i hëngri kokën” kreut të Komisionit

GJKKO vendosi sot pezullim nga detyra për Jonaid Myzyrin si dhe masën detyrim paraqitje, për shkak të hetimeve që po zhvillon SPAK lidhur me një tenderin për mirëmbajtjen e rrugës që kalon nga Rrësheni në Shpal dhe zona të tjera përreth.

Vlera e tij ishte rreth 220 milionë lekë pa TVSH, dhe është organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në shtator 2020.

Së bashku me Myzyrin janë edhe 10 të tjerë të marrë të pandehur nga SPAK për këtë tender:

Jonaid Myzyri, Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj, Enkelejda Bega, Vladimir Hodaj, Marjana Hasani dhe Gerald Adhiaj — të dyshuar për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, sipas nenit 258 dhe 25 të Kodit Penal.

Mehdi Lala, Ndoc Kulla dhe Ardian Kaza — të dyshuar për “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, sipas nenit 190 të Kodit Penal.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, në kuadër të procedimit penal 175/1 i vitit 2022*, me vendimin nr.61, datë 30.06.2025, ka caktuar masën e sigurisë ndaj shtetasit, J. M., i cili mban detyrën e Kryetarit të Komisionit të Prokurimeve Publike, i dyshuar për kryerjen e veprës penale: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal, të cilit i është komunikuar akuza. 

Masa e vendosur përfshin“Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, si edhe atë të sigurimit personal me karakter shtrëngues,“Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka dërguar për ekzekutim vendimin, nr.61, datë 30.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.

Objekti i këtij procedimi penal ka qenë procedura e prokurorimit, me nr. REF-65268-07-13-2020, “Loti V: “Mirëmbajtje rutinë me përformancë rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Q. Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit”, me fond limit 219.866.693 lekë pa tvsh, zhvilluar më datë 18.9.2020, me autoritet kontraktor Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).

Shqyrtimi i procedurës nga ana e autoritetit kontraktor ka pasur paligjshmëri, të cilat Komisioni i Prokurorimit Publik nuk i ka marrë në konsideratë.

Gjatë shqyrtimit të ankesës të procedurës së mësipërme, ky Komision, në kundërligjshmëri ka favorizuar bashkimin e operatorëve ekonomik; A.M., dhe D.-1., ku pas veprimeve hetimore ka rezultuar se kanë paraqitur dokumente të falsifikuara.

Për këtë procedurë prokurimi janë marrë si të pandehur: J.M., V.Zh., L.S., M.Z., E.B., V.H., G.A., dhe A.H.,  të dyshuar për kryerjen e veprës penale: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe shtetasit; M.L., N.K., dhe A.K., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.

OSZAR »