
Elon Musk kërcënon me krijimin e një partie të re politike, por pse kjo në Amerikë është pothuajse e pamundur


Në një kohë kur miliarderi Elon Musk po grindet me presidentin amerikan Donald Trump për legjislacionin e tij mbi taksat dhe politikën e brendshme, ai ka ripërsëritur deklaratat e tij se do të krijojë një parti të re politike.
Një detyrë e cila nuk është aq e lehtë, madje është shumë e vështirë dhe për personin më të pasur në Tokë kur bëhet fjala për SHBA-të.
Fillimisht Musk e propozoi krijimin e një partie të tretë, të quajtur “Partia e Amerikës” në fillim të këtij muaji, gjatë një debati të ashpër me presidentin Trump që shënoi fundin e mundshëm të aleancës së tyre politike. Musk e ngriti idenë përsëri këtë javë ndërsa ligjvënësit amerikanë nxituan për të dërguar projektligjin mbi buxhetin në tavolinën e Trumpit dhe këtë herë, Musk vendosi një afat kohor për planin.
“Nëse ky projektligj i çmendur për shpenzime miratohet, Partia e Amerikës do të formohet të nesërmen”, shkroi Musk në një postim në rrjetin e tij social “X” të hënën në mbrëmje, vetëm disa orë para se projektligji të miratohej në Senat të martën dhe të kthehej në Dhomën e Përfaqësuesve. “Vendi ynë ka nevojë për një alternativë ndaj sistemit njëpartiak Demokrat-Republikan në mënyrë që njerëzit të kenë një zë.”
Mbetet e paqartë nëse Musk do ta mbajë premtimin e tij, por ideja mund të jetë më e lehtë të thuhet sesa të bëhet.
Nëse vendos të krijojë një parti të re politike, Musk do të duhet të përballet me një mori ligjesh të ndërlikuara shtetërore, rregulla që kërkojnë kohë për aksesin në fletëvotime dhe padi intensive.
“Vetëm personi më i pasur në botë mund të bëjë një përpjekje serioze për të krijuar një parti të re politike amerikane”, tha Brett Kappel për CBS News, i cili është një avokat veteran i zgjedhjeve në Amerikë.
Përballë 50 ligjeve të ndryshme shtetëror dhe rregullave federale
“Partitë politike janë krijesa të shteteve”, tha avokati Kappel.
Çdo shtet ka rregulla të ndryshme ligjore për njohjen e partive politike që mund të shfaqen në fletëvotim, dhe Kappel vë në duke se këto pengesa “variojnë nga të larta deri në jashtëzakonisht të vështira për t’u kapërcyer.” Në disa raste, një parti e re mund të duhet të fusë kandidatë në fletëvotim duke paraqitur një numër të madh nënshkrimesh dhe më pas të fitojë një përqindje të caktuar të votave gjatë cikleve zgjedhore.
Për shembull, për t’u kualifikuar në Kaliforni, një parti e re politike duhet të regjistrojë 0.33% të votuesve të shtetit ose rreth 75 mijë njerëz si anëtarë të regjistruar, ose të paraqesë nënshkrime nga 1.1 milion votues. Pas kësaj, për të mbetur e kualifikuar, partitë duhet ose të ruajnë atë prag regjistrimi prej 0.33% ose të fitojnë të paktën 2% të votave në një garë mbarështetërore.
Dhe për të fituar njohje në nivel kombëtar, çdo parti politike në nivel shtetëror do të duhet të kërkojë një mendim këshillimor nga Komisioni Federal i Zgjedhjeve.
Këto përpjekje pothuajse me siguri do të përballen me kundërshtime të forta nga partitë Demokratike dhe Republikane, duke shtuar sfidat ligjore mbi nënshkrimet në secilin shtet dhe duke bërë që Musku (apo dhe çdo themelues tjetër aspirant) të shpenzojë shumë para për padi.
“Ligjet shtetërore në të gjitha shtetet janë të anshme ndaj dy partive kryesore politike dhe e bëjnë sa më të vështirë të jetë e mundur shfaqjen e një partie të tretë politike”, tha Kappel për CBS News.
Procesi i krijimit të një partie politike me ambicie kombëtare do të kërkonte gjithashtu kohë. Kappel thotë se mund të jetë e realizueshme, megjithëse e vështirë, që Musk të fusë disa kandidatë të preferuar në fletëvotime në shtete të caktuara, por krijimi i një partie kombëtare krejtësisht të re ka të ngjarë të zgjasë me vite dhe nuk do të jetë i mundur deri në zgjedhjet afatmesme të vitit 2026.
Për të dëshmuar se sa sfidues është ky proces, mos shikoni më tej se vështirësitë me të cilat janë përballur partitë e treta ekzistuese. Partia e Gjelbër dhe Partia Libertariane u themeluan secila dekada më parë dhe ende angazhohen në përpjekje shtet më shtet për akses në fletëvotime dhe njohje të partive të tyre.
“Pengesat për krijimin e një partie të re dhe futjen e saj në fletëvotime janë jashtëzakonisht të larta. Mund të bëhet nëse keni shuma të pafundme parash, por është një projekt shumëvjeçar dhe do të kushtojë qindra miliona dollarë”, tha Kappel.
Paratë e fushatës së Elon Musk
Kostoja e lartë e krijimit të një partie politike mund të mos jetë një pengesë e madhe për Musk, pasuria neto e të cilit tejkalon 350 miliardë dollarë sipas vlerësimeve të “Forbes”-it dhe “Bloomberg”-ut.
Lideri i kompanive “Tesla” dhe “SpaceX” shpenzoi një shumë marramendëse prej 277 milionë dollarësh vetëm për të ndihmuar Trumpin dhe kandidatët e tjerë republikanë në ciklin zgjedhor të vitit 2024. Pjesa më e madhe e këtyre shpenzimeve, afërsisht 239 milionë dollarë, u dërgua përmes “America PAC”, një komitet veprimi politik i themeluar nga Musku që mbështeti një përpjekje të gjerë për të marrë vota në të gjitha shtetet e lëkundura.
Që atëherë, Musku ka lënë të kuptohet se planifikon të rrallojë përfshirjen e tij në politikë. Mandati i tij në drejtimin e Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë të administratës Trump, i cili ul kostot, përfundoi në maj, një muaj pasi ai u tha aksionarëve të Tesla se puna e tij me qeverinë federale do të “bjerë ndjeshëm”. Ai tha gjithashtu në Forumin Ekonomik të Katarit në maj se do të “bëj shumë më pak” shpenzime politike në të ardhmen, duke vënë në dukje se “aktualisht nuk sheh ndonjë arsye” për të vazhduar të hapë portofolin e tij. Nëse Musk i qëndron propozimit të tij për të krijuar një konkurrent të ri të të dy partive kryesore, kjo do të shënonte një kthim të kushtueshëm në betejë – dhe ligjet rreth mënyrës së financimit të saj janë komplekse.
Përpara se partitë e reja politike të njihen zyrtarisht, ato zakonisht organizohen si grupe jofitimprurëse dhe mbështetësit e tyre financiarë nuk përballen me ndonjë kufizim parash për donacionet e tyre, thotë Kappel. Por sapo një parti fiton njohje kombëtare, donatorët si Musk do t’i nënshtrohen kufizimeve të FEC-së për kontributet politike. Aktualisht, individët mund të japin vetëm 10 mijë dollarë në vit për një parti politike shtetërore, ose 44 mijë e 300 dollarë në vit për një komitet kombëtar të partisë.
Rregullat që vendosin se kur organizatat i nënshtrohen këtyre kufizimeve janë bizantine. Pothuajse dy dekada më parë, FEC njoftoi se një grup i quajtur “Unity08”, i cili synonte të fuste në garë një kandidat presidencial dypartiak, duhet të regjistrohet si një komitet politik nëse shpenzon mbi 1 mijë dollarë duke u përpjekur të ketë akses në fletëvotime. Pas një beteje të gjatë ligjore, një gjykatë apeli e rrëzoi këtë vendim.
Një mënyrë tjetër që Musku të vazhdojë të ushtrojë ndikim politik do të ishte përmes “America PAC”. Grupi i lejon Muskut të dhurojë shuma të pakufizuara parash, por me kushtin që të mbetet zyrtarisht i pavarur nga kandidatët ose partitë politike.
Edhe pse ai konsideron krijimin e një partie të tretë, Musk la të kuptohej këtë javë se mund të mbetej i angazhuar në politikën republikane. Miliarderi tha se do të mbështesë sfidat paraprake kundër ligjvënësve republikanë që votuan për projektligjin e miratuar nga Trumpi. Ai gjithashtu u zotua të mbështesë përfaqësuesin Thomas Massie, një republikan nga Kentaki i cili votoi kundër projektligjit dhe po përballet me një garë paraprake të mbështetur nga Trumpi.
Presidenti Trump nga ana e tij, ka thënë ditët e fundit se Musku duket se është “i mërzitur” që projektligji i tij i nënshkruar për taksat dhe politikat e brendshme do të heqë gradualisht kreditë tatimore për automjetet elektrike, të cilat mund t’i kushtojnë Teslës miliarda. Disa nga kritikat e Muskut për projektligjin janë përqendruar në shkurtimet e mëdha në stimujt e energjisë së gjelbër, megjithëse ai ka argumentuar gjithashtu se projektligji është shumë i shtrenjtë.
“Mendoj se Eloni është një djalë i mrekullueshëm dhe e di që ai do të ia dalë gjithmonë mirë”, i tha Trumpi gazetares së “Fox News”, Maria Bartiromo në një intervistë që u transmetua të dielën. “Por ai u mërzit pak dhe kjo nuk ishte e përshtatshme.”

Zegjineja nga fshati dhe Kryeministri nga Kryeqyteti!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128