Kriza politike/ Mbahet sot në Prishtinë seanca e 22 për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

27 Maj 2025, 09:00 / KOSOVA ALFA PRESS

Kriza politike/ Mbahet sot në Prishtinë seanca e 22 për

Pas 21 përpjekjesh të pasuksesshme, Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sërish sot në përpjekje për të konstituuar legjislaturën e nëntë, që doli nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt. Seanca është planifikuar të nisë në orën 11:00.

Përpjekja e fundit më 25 maj dështoi për të 13-ën herë radhazi në krijimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Ky mekanizëm u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, por është kontestuar nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, të cilat e kanë dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), vazhdon të këmbëngulë në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, duke refuzuar kërkesat e partive të tjera për të propozuar një figurë më konsensuale. Ndërkohë, partitë opozitare thonë se mungesa e kompromisit po bllokon të gjithë procesin.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 15 maj ftoi përfaqësuesit e partive në një takim për të diskutuar ngërçin politik. Ajo deklaroi se nuk pati marrëveshje për konstituimin e Kuvendit, por vuri re një “disponim minimal” për zgjidhje.

Për konstituimin e Kuvendit kërkohet zgjedhja e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve. Vetëm pas kësaj faze do të jetë e mundur të formohet qeveria e re.

 

Po ndodh...

ide

OSZAR »