Tragjedi te Liverpuli! Diogo Jota humb jetën në një aksident me makinë

3 Korrik 2025, 10:24 / SPORT ALFA PRESS

Tragjedi te Liverpuli! Diogo Jota humb jetën në një aksident me

Një lajm tragjik ka goditur botën e futbollit. Diogo Jota, sulmuesi portugez i Liverpoolit, ka humbur jetën në moshën 28-vjeçare pas një aksidenti të rëndë rrugor në provincën spanjolle të Zamorës, në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Sipas autoriteteve vendase, aksidenti ndodhi në kilometrin 65 të autostradës A-52, në zonën e Sanabria-s. Automjeti në të cilin udhëtonte Jota, së bashku me vëllain e tij André – gjithashtu futbollist profesionist 26-vjeçar – doli nga rruga dhe përfundoi në flakë, shkruan Marca.

Dëshmitarët që telefonuan numrin e urgjencës 112 raportuan se makina u përfshi plotësisht nga zjarri, i cili më pas përfshiu edhe bimësinë përreth, duke e bërë situatën edhe më dramatike.

Lajmi tragjik vjen vetëm dy javë pasi Jota u martua me të dashurën e tij, Rute Cardoso, në Porto.

Diogo Jota iu bashkua Liverpoolit në vitin 2020 nga Wolverhampton për një shumë prej 44.7 milionë eurosh. Që nga ajo kohë, ai regjistroi 182 paraqitje, duke shënuar 65 gola dhe dhënë 26 asiste.

Me Liverpoolin, ai fitoi Premier League-n në sezonin 2024-25, si dhe FA Cup dhe League Cup në sezonin 2021-22. Më herët, ai kishte luajtur edhe për Atlético Madrid, Porto dhe Wolves, duke u kthyer në një nga sulmuesit më të vlerësuar në Evropë.

Familja, shokët e skuadrës dhe e gjithë bota e futbollit janë në zi për këtë humbje të parakohshme dhe të dhimbshme. Klubet ku ka luajtur pritet të organizojnë homazhe në nder të tij në ditët në vijim.

Po ndodh...

OSZAR »