Flota detare u zgjerua, por zënia e peshkut ra me 15% në 2024

25 Qershor 2025, 15:48 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS
Flota detare u zgjerua, por zënia e peshkut ra me 15% në 2024

Flota detare është zgjeruar më tej me anije në vitin 2024, por  zënia e peshkut si në gjendje të egër ashtu edhe në rezervate ra në vitin 2024, – raportoi INSTAT. Në vitin 2024 ishin të licencuara 833 subjekte për aktivitet peshkimi, 22 subjekte më shumë se në vitin 2023, por sasia e peshkut të zënë nga të gjitha kategoritë ujore ishte 16.452 tonë, duke shënuar një rënie prej 14,9%, krahasuar me një vit më parë që ishte 19.338 tonë.

Gjatë vitit 2024, u prodhuan dhe u hodhën në liqenin e Ohrit 1,2 milionë rasate të Troftës Ylber, 1,8 milionë rasate të Koranit dhe 0,8 milionë rasate Krap. Struktura e zënieve nga peshkimi sipas kategorive përbëhet  nga akua-kultura që përbën 43,6% (7.165 tonë) të sasisë.  Ujërat e brendshme zënë 27,4% (4.505 tonë) të sasisë dhe  peshkimi detar përfaqëson 23,5% (3.869 tonë)

Rritja më e madhe me 14,5%, ishte për molusqet  nga 186 tonë në vitin 2023 në 213 tonë në 2024. Peshku nga akuakultura ra me -21,6%, (nga 9.141 tonë në vitin 2023 në 7.165 tonë në 2024).

Zënia e peshkut të detit ra  -18,1%, (nga 676 tonë në vitin 2023 në 554 tonë në 2024). Në vitin 2024, janë të licencuara 833 subjekte për aktivitet peshkimi, 22 subjekte më shumë se në vitin 2023.

Flota operon kryesisht në Adriatikun e Jugut. Në Portin e Durrësit janë 36,5% e anijeve të licencuara, Vlorë 30,7%, Lushnjë-Fier 2,2%, Himarë 1,6%. Anije me njica përbëjnë  72,6%  të totalit dhe anije me tërheqje (fundore/pelagjike) 23,9%.

Bizneset e peshkimit vitet e fundit kanë bërë investime të mëdha në flotën e peshkimit si rrjedhojë e kërkesës në rritje nga turizmi, por shpesh rendimenti i prodhimit varet nga sezoni, kostot dhe fuqia punëtore.

Statistikat e peshkimit për vitin 2024, mbështeten në informacionin administrativ, të mbledhur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Mbledhja, përpunimi dhe publikimi i tyre mbështetet në legjislacionin vendas si dhe duke zbatuar klasifikimet dhe përkufizimet sipas rregulloreve përkatëse të BE-së./ Monitor

Po ndodh...

ide

OSZAR »