
"E keqja Rama apo e keqja Berisha"/ Ku gabon Bushati dhe Kajsiu

Analizat postzgjedhore vlejnë jo vetëm për të kuptuar faktorët që mundësuan rezultatin zgjedhorë të 11 Majit por ajo që është më e rendësishme, cilat janë strukturat social-ekonomike dhe politike që diktojnë sjelljet elektorale dhe ato të partive politike në një kontekst si i yni.
Të tillë e kam parë edhe debatin mes politologut Kajsiu dhe gazetarit skrupuloz Bushati, të cilët me parashtrimet e tyre tentojnë të identifikojnë variablat që ndikuan në humbjen e thellë të opozitës dhe konsolidimin e paprecedent të qeverisë, me katër mandate rradhazi.
Nëse ndalesh në pozicionet e secilit, të krijohet bindja që janë në qëndrime antagoniste ku njëra tezë përjashton tjetrën, pasi Kajsiu i mëshon tezës së plogështisë, fragmentarizimit, berishizmit, konsumimit të figurave kryesore të PD dhe strategjjsë pa përmbajte të PD në humbjen e kësaj të fundit, ndërsa Bushati i mbetet prej vitesh tezës së regjimit autoritarist të Ramës që sa më shumë rri në pushtet aq më shumë e vë makinën shtetërore në shërbim të zgjatjes së pushtetit. Pra, nëse do të përdornim një logjik sempliste shpjegimi, kupton që për Kajsiun është PD që shkakton këtë situatë elektorale për veten dhe për kundërshtarin ndërsa për Bushatin është super pushteti i Ramës që riprodhon veten dhe çantivizon fuqinë e kundërshtarit. Nëse i shikon veç e veç, secili ka të drejtë në vetvete pasi të dy mendojnë se ka një shkak që prodhon një pasojë pavarësisht se shkakun të dy e identifikojnë ndryshe.
Mirëpo në metodologji është e njohur hipoteza se në disa kontekste komplekse siç është edhe ky i yni, fenomeni mund të shpjegohet me hipoteza të përmbysura ku shkaku të jetë pasojë dhe kjo e fundit të shndërrohet në shkak, pra të dyja ndikojnë njëkohësisht te njëri-tjetri. E shprehur ndryshe, faktori PD ndikon te fitorja e PS por njëkohësisht, autoritarizmi i kësaj të fundit të caktivizoj fuqinë e PD.
Teoricienët e Shkencave Politike konfirmojnë tezën që në sisteme autokratike kur institucionet janë të dobëta dhe të korruptuara, pushteti ekzekutiv nuk të konsumon por të forcon gjithnjë e më shumë. Aq më shumë- shprehen ata- kur opozita është e pafuqishme, me lidërship të konsumuar dhe fragmentarizim opozitar, siç është rasti i PD.
Autokracia në vende si Shqipëria, ku opozita është e dobët, ka disa karakteristika dhe pasoja të veçanta që e bëjnë sistemin më të qëndrueshëm për pushtetin aktual, por më të brishtë për demokracinë dhe zhvillimin institucional. Votat rriten në përqindje nga një palë zgjedhje në tjetrën në favor të qeverisë e jo opozitës, pasi mekanizmat e presionit, manipulimit dhe shitblerjes shtohen nga një palë zgjedhje në tjetrën. Manipulimi zgjedhor shikohet si normalitet, jo fatalitet. Aq më shumë legjitime bëhet kjo kur opozita, nuk arrin të frymëzoj apo të ofroj alternativë qeverisëse më të mirë se qeveria.Teza që mjafton të rrimë si forcë e parë në opozitë dhe qeveria rrezohet vet, në vende autokratike ku bën pjesë edhe Shqipëria nuk vlen. Madje opozita me kalimin e viteve bëhet zgjatim i qeverisë jo oponencë. Kjo pasi humbet besimin te vetja, nuk gjen forca të rigjenerohet, madje fillon edhe korruptohet nga padurimi për të ardhur në pushtet.
Në sytë e publikut opozita konsumohet, si qeveria duke qëndruar në opozitë. Në këto kushte votuesi i paqëndrueshëm bojkoton ose voton për partitë e vogla, ndërsa ai pragmatist zgjedh rrezikun më të vogël që në këtë rast është qeveria jo opozita me paqartësitë e saj në organizim, lidership, fragmentarizim dhe shterpësi tezash qeverisëse. Siguria e bilancit familjar të tij ose i saj është më i rëndësishëm se rreziku i demokracisë një koncept abstrat për të.
Pushteti jo vetëm që nuk dobësohet duke qëndruar në pushtet, por forcohet akoma më shumë duke kufizuar pushtetet e tjera. Sistemi i partitokracisë dominon të gjithë jetën sociale, ekonomike dhe kulturore sa më shumë zgjatet në pushtet.
Njerëzit e shikojmë partitokracinë si ushqim për të mbajtur status quo, biznesin si mundësi për të mbijetuar në treg, shoqëria civile si oksigjen për të ruajtur financat aktuale dhe media si siguri për vazhdimësi. Pra mekanizmat e presionit jo vetëm zbehen por bëhen zgjatim të pushtetit kur shikojnë që kundërshtari politik nuk bind për një vizion tjetër qeverisës.
Zgjidhjet apo mbështjet që priten nga jashtë në sytë e shtresës së mesme kur sistemi global është me disa vatra lufte, kur parametrat e demokracisë janë dobësuar edhe në vendet e BE, ku ekstremi i djathtë sa vjen dhe dominon spektrin politik dhe polarizimi shoqëror rritet, ideja se vjen ndonjë zgjidhje apo mbështetje nga jashtë bëhet gati naive ta besosh. Por edhe ideja që vetëm të rigjenerohet opozita dhe zgjidhja vjen vet kur përball ka makinerinë shtetërore, edhe kjo tingëllon e pamjaftueshme. Ashtu si dhe të presësh ndonjë mrekulli ku makineria shtetërore të vetë-asgjësohet duke qëndruar në pushtet, tingëllon gati e pamundur të ndodh.
Në këto rrethana për fat të keq kërkohet një mori faktorësh që mund të ndryshojnë situatën, si ndërgjegjësimin e njerëzve që qeveritë e zgjatura në kohë janë problem në vende me demokraci të konsoliduar jo më në vende si ne me regjim hibrite, një riorganizim opozitar me profil dhe identitet të ri, presion i shtuar i BE dhe mekanizma monitorues si SPAK ndaj korrupsionit që mund të shpresojnë për ndonjë surprizë elektorale në 2027.

"E keqja Rama apo e keqja Berisha"/ Ku gabon Bushati dhe Kajsiu
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128